UBT News

Toni Kroos synon karrierën si trajner, regjistrohet për licencën UEFA A

Ish-mesfushori i Real Madridit dhe i Përfaqësueses së Gjermanisë, Toni Kroos, po përgatitet për një kapitull të ri në karrierën e tij, këtë herë si trajner.

Sipas gazetës spanjolle AS, Kroos ka informuar Federatën Spanjolle të Futbollit për synimin e tij për t’u regjistruar në një program të specializuar për trajnerë, në sezonin 2027/28.

Edhe pse përvoja e gjatë si futbollist i mundëson të drejtojë ekipe në nivele të caktuara të futbollit spanjoll, gjermani synon të pajiset me licencën UEFA A, për të avancuar drejt drejtimit të klubeve në nivelet më të larta.

Aktualisht, Kroos është i përfshirë në punën me talentët e rinj në akademinë e tij të futbollit në Madrid. Megjithatë, ambiciet e tij duket se shkojnë përtej zhvillimit të lojtarëve të rinj, duke synuar futbollin profesionist.

Ndërkohë, Real Madridi kishte shqyrtuar mundësinë e përfshirjes së tij në strukturat e klubit, por palët nuk arritën të gjenin rolin e duhur.

Kroos u tërhoq nga futbolli në vitin 2024, duke lënë pas një karrierë të jashtëzakonshme. Ai fitoi gjashtë tituj të Ligës së Kampionëve dhe Kupën e Botës me Gjermaninë në vitin 2014, duke u konsideruar si njëri prej mesfushorëve më të mirë të gjeneratës së tij.

D.L

Exit mobile version