Ylli i cili luan në personazhin e njohur Spider-Man, Tom Holland, po mendon të largohet nga aktrimi, përcjell UBT News.
Aktori mendon për rikthimin e tij në kërcim, kështu bëri të ditur ai ndërsa po promovonte filmin më të fundit të Marvel. Kjo si pasojë e një, siç e quajti ai, “krize të moshës së mesme”.
Holland theksoi se do të dëshironte të kthehej në kërcim, kjo pasi kishte luajtur Billy Elliot në “West End” si fëmijë.
“Unë as nuk e di nëse dua të jem një aktor”, i tha ai Sky News në një intervistë.
“Kam filluar të aktroj që kur isha 11 vjeç dhe nuk kam bërë asgjë tjetër, kështu që do të doja të bëja gjëra të tjera. Në të vërtetë, unë jam duke pasur një krizë të moshës së mesme – në moshën 25 vjeçare, pra po kaloj një krizë [por] para moshës së mesme”.
Aktori zbuloi këtë javë se ai ishte regjistruar për të luajtur Fred Astaire në një film biografik, një lëvizje që mund të sinjalizojë fillimin e ndryshimit të karrierës së tij.
Filmi i fundit, “Spider-Man: No Way Home”, pritet të jetë më i madhi i vitit – ose ndoshta më i madhi ndonjëherë – me shumë shitje para publikimit të tij, duke e tejkaluar edhe atë të “Avengers: Endgame”./UBTNews/