UBT News

Tokio shpallet qyteti më i fuqishëm ekonomikisht në botë për vitin 2025

Tokio, kryeqyteti i Japonisë, është shpallur qyteti më i fuqishëm ekonomikisht në botë për vitin 2025 sipas renditjes globale të CEOWORLD.

Revista vlerëson se fuqia e jashtëzakonshme ekonomike e qytetit bazohet në dekada inovacioni në teknologji, industrinë automobilistike dhe prodhimin me precizion të lartë.

Sipas analizës, Tokio përfaqëson një standard të lartë të përsosmërisë operacionale, duke kombinuar avancimin teknologjik me qeverisje të disiplinuar ekonomike. Sistemet e transportit, rrjetet financiare dhe zinxhirët industrialë funksionojnë me një “saktësi të pakrahasueshme”.

Në vendin e dytë renditet Nju Jorku, si qendra kryesore globale e financave dhe nyjë për startup-et inovative, ndërsa Los Anxhelosi mban vendin e tretë falë industrisë së argëtimit, mbështetur nga zhvillimi i sektorit teknologjik dhe hapësinor.

Sipas raportit, 10 qytetet kryesore kontribuojnë thuajse një të tretën e GDP-së globale, duke treguar përqendrimin e fuqisë ekonomike në qendrat urbane që nxisin inovacion dhe kapital.

Renditja tregon dominimin e qyteteve amerikane në top 25-shen, përfshirë Çikagon (7), San Francisko Bay Area (9), Uashingtonin (12), Dallas-Fort Worth (13), Hjustonin (14), Bostoni (15), Seattle (18), Filadelfia (19), Atlanta (20) dhe Luginën e Silikonit (24).

Nga ana tjetër, Azia po forcon pozicionin e saj në ekonominë globale, me Seulin në vendin e pestë, duke reflektuar përparimin e Koresë së Jugut në teknologji, elektronikë dhe inovacion digjital.

Raporti i këtij viti nënvizon një zhvendosje të dukshme të gravitetit ekonomik global drejt rajoneve më dinamike dhe teknologjikisht të avancuara të botës. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version