Ekipi olimpik i xhudos i Kosovës e ka mësuar sot shortin për garat që i nisin të shtunën në Lojërat Olimpike Tokio 2020.
Shpresat e Kosovës për të fituar medalje olimpike në Japoni janë pikërisht te xhudistët Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Loriana Kuka dhe Akil, raporton Gazeta Express.
Numri një në renditjen olimpike, Distria Krasniqi, e cila garon të shtunën, ka kaluar raundin e parë pa luftë, pasi është bartësja e parë e kategorisë deri në 48 kilogramë.
Në raundin e dytë, ajo do të përballet me fituesen e luftës mes Gabriela Chibana (Brazil) dhe Harriet Bonface (Malavi).
Kampionia olimpike, Majlinda Kelmendi, në raundin e parë do të takohet me hungarezen Reka Pupp, kategoria deri në 52 kg. Kelmendi është bartësja e katërt. Ajo garon më 25 korrik.
Medalistja e bronztë e botës, bartësja e tretë e kategorisë deri në 57 kilogramë, Nora Gjakova, raundin e parë e kalon pa luftë, ndërsa në raundin e dytë pret fituesen e luftës mes Sabina Filzmoser (Austri) dhe Sanne Verhagen (Holandë). Nora garon më 26 korrik.
Pa luftë në raundin e parë ka kaluar edhe medalistja tjetër e bronztë e botës, Loriana Kuka, kategoria -78 kg. Ajo në luftën e dytë përballet me fituesen e duelit mes Marie Branser (Kongo) dhe Aleksandra Babintseva (Rusi). Loriana garon më 29 korrik.
Kampioni i Evropës Akil Gjakova në raundin e parë përballet me Ahmed Ayash të Jemenit, ndërsa nëse kalon kundërshtarin e parë, në të dytën e pret Nils Stump i Zvicrës. Akili garon më 26 korrik.
Trajneri i ekipit olimpik të xhudos Driton Kuka pret që luftërat e para të jenë lehtë të kalueshme për xhudistët kosovarë.
“Shorti në Lojërat Olimpike e ka rëndësinë e vet, por jo të madhe. Për ekipin tonë shorti është një nismë e rrugëtimit. Në xhiron e parë realisht garuesit tanë duhet të ecin tutje, e pastaj të shohim”, deklaroi Kuka.
Ekipi i xhudos u vendos dje në Fshatin Olimpik ku do të qëndrojë gjatë garave në Olimpiadë.