UBT News

Tokio 2020: Autobusët pa shofer humbasin funksionet e vetë-drejtimit, pas një aksidenti

Prodhuesi japonez i makinave Toyota njoftoi të martën se do të rifillojë përdorimin e autobusëve të tij vetë-drejtues në fshatin e Lojërave Paralimpike, edhe pse një nga automjetet goditi një atlet javën e kaluar, transmeton UBT News.

Xhudisti Aramitzu Kitazono, u godit të enjten teksa po kalonte në një vendkalim. Ai nuk arriti të garonte më në kategorinë deri 81 kilogramë për shkak të aksidentit.

Në një deklaratë të lëshuar të hënën, kompania tha se Komiteti Organizues i Lojërave kishte vendosur të rifillonte operacionet pasi kishte bërë ndryshime për të “shtuar sigurinë e gamës së larmishme të njerëzve që përbëjnë komunitetin Paralimpik”.

Ndryshimet e sigurisë të vendosura nga Toyota do të heqin shumë nga elementët vetë-drejtues të e-Palette, dhe do të shtojnë më shumë kontrollerë dhe staf që të sigurohen se s’do të prekin ndokënd. Gjithashtu sinjalizimet paralajmëruese të automjetit janë bërë gjithashtu më të forta, tha kompania.

Aksidenti ndodhi pavarësisht faktit se dy udhëzues ishin në detyrë në vendkalimin për këmbësorë, tha Toyota, përcjell UBT News.

Sipas deklaratës, stafi i Fshatit Olimpik do të marrë gjithashtu trajnime për sigurinë në rrugë para se automjetet autonome të rifillojnë funksionimin në orën 3 pasdite me orën lokale të enjten.

Toyota ka thënë se po bashkëpunon me një hetim të policisë lokale për të përcaktuar shkakun e aksidentit, duke shtuar se do të kryejë gjithashtu hetimin e vet.

Toyota shtoi se aksidenti tregoi vështirësinë që automjeti vetë-drejtues të veprojë në rrethana të veçanta në fshatin Olimpik, me njerëz të cilët kanë shikim të dëmtuar ose kanë aftësi të kufizuara të tjera./UBTNews

Exit mobile version