UBT News

‘Tmerr i vërtetë’, Covid 19 e rrëzon përtoke Indinë

“Për momentin, ne po përpiqemi t’u japim të gjithëve një mundësi për të mbijetuar”, shprehet një punonjëse e institutit atje.

India ka pasur ngarkesën më të lartë në botë javën e kaluar sa i përket COVID-19. Spitalet ishin të stërmbushura dhe mungonin furnizimet me oksigjen.

Sistemi shëndetësor i Indisë u “trondit” sepse regjistroi ngarkesën më të lartë në botë të rasteve me COVID-19 këtë javë, me mbi 330,000 infeksione të reja dhe më shumë se 2,000 vdekje në ditë.  

India tash e sa ditë po përballet me një krizë oksigjeni në disa qytete për shkak të furnizimit të pabarabartë dhe çështjeve logjistike (të tilla si transporti dhe lejet për ta kryer atë përtej kufijve shtetërorë). Ndërsa disa impiante të reja po instalohen me urgjencë.

Ekspertët e shëndetit parashikojnë që situata – të paktën mungesa e oksigjenit – të lehtësohet javën e ardhshme, pasi ka edhe një vullnet nga shumë shtete që të ndihmojnë Indinë në këtë drejtim.

“Për momentin, ne po përpiqemi t’u japim të gjithëve një mundësi për të mbijetuar”, u shpreh Kartikeya Kohli, konsulent në Institutin e Shkencës dhe Kërkimit në New Delhi.

Njerëzit atje po vdesin pa pasur një shtrat kur të shtrihen dhe pa arritur ta marrin tretmanin minimal mjekësor, një ngjarje e dhimbshme që tregon pasojat e rënda të Covid 19 në këtë shtet.

Sipas ekspertëve, India ka nevojë për një plan serioz për menaxhimin e katastrofave për t’u marrë me një krizë të kësaj madhësie. /Ubtnews

(Arjeta Ibishi/Studente e Media dhe Kuminikimi në UBT)
 

Exit mobile version