Një tjetër “tërmet” rrezikon që të trondisë Serinë A. Operacionet e dyshimta në merkato në periudhën 2019-2021 po hetohen nga Komisioni i Mbikëqyrjes së Shoqërive të Futbollit (Covisoc) dhe tashmë janë në Prokurori.
Sipas “Repubblica”, raporti i është dorëzuar edhe autoriteteve më të larta të futbollit italian për t’u kërkuar atyre që të hetojnë 62 operacionet e merkatos që kanë sjellë fitime të dyshimta për klubet. Më të rrezikuar janë Juventus dhe Napoli.
Sa i përket bardhezinjve, në lupë janë vënë blerjet e futbollistëve si Franco Tongya dhe Marley Aké, që Juventus dhe Marseille i kanë shkëmbyer për 8 milionë euro dhe sot luajnë respektivisht në kategorinë e katërt franceze dhe të tretë italiane. Gjithashtu, Covisoc po heton edhe operacione të tjera të Juves, veçanërisht 42 transferime dhe 21 lojtarë të përfshirë në to, për një xhiro prej 90 milionë eurosh. Nga kjo shifër, në bilancet e klubit janë llogaritur 40 milionë euro, por efektivisht vetëm 3 milionë ishin fitime. Spikat shkëmbimi me Barcelonën në operacionin Pjanic-Arthur dhe ai me City në operacionin Cancelo-Danilo.
Ndërkohë, Napoli po hetohet për blerjen e Osimhen. Nga 4 lojtarët që shkuan te Lille për 20 milionë euro, 3 prej tyre luajnë sot në kategoritë e ulëta të Italisë, ndërsa ai që ka mbetur te ekipi francez, ende nuk ka luajtur asnjë minutë.