UBT News

Tirana vishet kuq e zi për Festat e Nëntorit!

Në kuadër të festimeve të dy ngjarjeve të rëndësishme historike për kombin shqiptar, Tirana ka nisur të vishet kuq e zi, për t’i dhënë nderin e merituar 112-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë dhe 80-vjetorit të Çlirimit. Flamujt kombëtar janë shtrirë përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke krijuar një atmosferë festive që mbush rrugët e kryeqytetit me ngjyra dhe emocione.

Një nga ngjarjet më të pritura për këtë vit është rikthimi i Paradës Shqiptare, e cila do të mbahet më datë 28 nëntor. Ky aktivitet do të sjellë grupe artistike nga të gjitha anët e botës, kudo ku flitet shqip, dhe ka për qëllim të rikthejë vëmendjen tek vlerat e kostumeve popullore, riteve, traditave dhe trashëgimisë kulturore të kombit shqiptar. Parada do të jetë një festë e vërtetë e bashkimit dhe krenarisë kombëtare, me një pjesëmarrje të gjerë nga komuniteti shqiptar.

Po ashtu, Kryeministri Edi Rama njoftoi se nga data 21 deri më 30 nëntor do të zhvillohen aktivitete të shumta në kuadër të Javës Kulturore Kombëtare Shqipëri-Kosovë. Ky event është pjesë e Javëve Kulturore Ndërkombëtare, të cilat për këtë vit përmbyllen me Kosovën, duke organizuar një sërë aktivitetesh artistike dhe kulturore në Tiranë, Durrës dhe Shkodër.

Aktivitete të ndryshme do të nisën me një workshop edukues për fëmijë te Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë, ku ata do të njihen me regjistrin e katalogut fizik dhe me artin figurativ shqiptar. Më 22 nëntor, në Durrës, do të hapet një ekspozitë mbi inteligjencën artificiale, e cila do të pasqyrojë artin bashkëkohor kosovar, ndërsa në Tiranë do të mbahet koncerti “Side by Side” me soprano Besa Llugiqi dhe pianistin Misbah Kaqamak.

Në datën 25 nëntor, në kuadër të 80-vjetorit të Çlirimit, do të shfaqen koleksionet dhe materialet historike që pasqyrojnë momentet kryesore të çlirimit. Po ashtu, në këtë ditë do të mbahet sfilata “Krenari mbi supe” që do të sjellë punime të kostumeve tradicionale nga fëmijët e Kursit të Kostumografisë. Më pas, “Jehonë Shqiptare”, një koncert në ArTurbina do të ngjisë në skenë artistë të njohur nga Shqipëria dhe Kosova.

Një tjetër moment i rëndësishëm do të jetë premiera e operas “Goca e Kaçanikut” në Teatrin e Operës dhe Baletit, një histori dashurie dhe lirie, e cila do të nderojë Festën e Flamurit. Kjo do të jetë një ngjarje emocionuese, që do të sjellë bashkë artistë dhe publik nga të dyja anët e kufirit shqiptar.

Nga data 26 deri më 30 nëntor, Biblioteka Kombëtare do të hapë ekspozitën për 150-vjetorin e lindjes së At Shtjefën Gjeçovit, një nga figurat më të shquara të kulturës dhe traditës shqiptare. Gjithashtu, më 26 nëntor, në Teatrin Metropol do të ngjallin shpresën dhe emocionet Shkodra Elektronike, një projekt muzikor i dy emigrantëve shqiptarë që sjellin muzikën e qytetit të tyre në një atmosferë të re.

Në këtë periudhë do të zhvillohet edhe një panair i madh i gastronomisë, “Shije Shqiptare”, i cili do të ofrojë shije dhe produkte tradicionale nga të gjitha trevat shqiptare. Ky panair do të jetë një mundësi për t’u njohur me pasuritë e kuzhinës shqiptare dhe ato kosovare.

Në datën 27 nëntor, në Teatrin “Migjeni” në Shkodër do të mbahet koncerti i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, ndërsa në Tiranë do të zhvillohet koncerti “Tingujt që sollën lirinë”, një ngjarje që do të mbledhë Orkestrën e Forcave të Armatosura dhe do të nderojë Luftën Nacionalçlirimtare.

Festimet do të kulmojnë më 28 nëntor, kur të gjithë shqiptarët do të mblidhen në Tiranë për të kremtuar 112-vjetorin e Pavarësisë me një paradë madhështore dhe një atmosferë që do të jetë një festë e vërtetë e popullit shqiptar.

Ky aktivitet do të përmbyllet me festivalin “Tirana Art Weekend”, nga 29 nëntori deri më 2 dhjetor, që do të bashkojë skenën e pavarur të artit dhe do të përfshijë hapësira ekspozuese, organizata kulturore dhe kolektivë artistikë nga Shqipëria dhe Kosova.

Javët Kulturore Ndërkombëtare, të cilat kanë sjellë në Shqipëri kultura dhe mesazhe të forta për diversitetin dhe të drejtat e njeriut, kanë krijuar ura lidhëse ndërmjet kulturave dhe kanë nxitur kreativitetin dhe shkëmbimin kulturor në një periudhë të rëndësishme për vendin dhe rajonin. Ky është një edicion i veçantë i këtyre aktiviteteve, që ka përmbyllur një vit të pasur me ngjarje të ndryshme, duke e kaluar këtë përvojë në një festë të madhe për shqiptarët kudo që ndodhen./UBTNews/

Exit mobile version