UBT News

Tirana vallëzon në sheshin ‘Skënderbej’, performancë nga International Dance Festival

Festivali Ndërkombëtar i Dancit në Tiranë ka zbuluar për artdashësit vendndodhjet e aktiviteteve të tij artistike, që do të zhvillohen nga data 9 deri më 25 tetor.

Ky është edicioni i katërt, këtë vit vjen nën drejtimin e një prej emrave më të njohur shqiptarë në skenën ndërkombëtare, Angelin Preljocaj.

Gjatë tre javëve të festivalit, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë krijimet më të reja të mbi 13 koreografëve e kompanive ndërkombëtare.

Programi çelet me katër performanca publike në hapësira të ndryshme të qytetit dhe pesë shfaqje në skenat e Teatrit Metropol dhe Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Më 9 tetor, festivalin e hapin dy performanca të hapura për publikun, njëra në Qendrën Komunitare “Të qëndrojmë së bashku” dhe tjetra në sheshin Skënderbej, në orët e pasdites.

Më 10 tetor, performancat zhvendosen tek Pazari i Ri, ndërsa më 11 tetor, Teatri Metropol do të presë tre shfaqje paradite. Në mbrëmje, artistët do të ngjiten në skenë me veprën “Puls” nga Jiri Kylian, Robert North dhe Edi Blloshmi, e cila do të reprizohet edhe natën pasuese.

Ky edicion do të zhvillohet në 11 skena të ndryshme, duke ofruar 15 premiera, 9 aktivitete publike falas dhe masterclass-e që e lidhin festivalin me gjithë qytetin.

Ky aktivitet realizohet me mbështetjen e Bashkimit Evropian përmes programit EU4Culture, duke sjellë në Tiranë emra të njohur të kërcimit bashkëkohor përkrah një brezi të ri koreografësh, në një dialog të pasur mes gjuhëve të ndryshme artistike. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version