Pas një vere me temperatura të larta në Evropë, një studim i agjencisë britanike të udhëtimeve Thomas Cook ka renditur Tiranën si destinacionin më ekonomik evropian për një udhëtim të shkurtër gjatë muajit shtator.
Sipas studimit, 18 nga 51 destinacionet më të njohura evropiane mund të vizitohen me më pak se 100 paund për person në ditë, ndërsa Tirana kryeson listën me një kosto mesatare prej rreth 51 paundësh në ditë për person.
Kjo do të thotë se një qëndrim tre-ditor në kryeqytetin shqiptar mund të kushtojë rreth 153 paund për person.
Në studim veçohen arkitektura e Tiranës, atmosfera e kafeneve dhe mundësitë për të eksploruar qytetin me një buxhet relativisht të ulët. Çmimi mesatar i atraksioneve turistike me pagesë është më pak se 4 paund, ndërsa edhe ushqimi në restorante konsiderohet i përballueshëm.
Një porcion i tavës së kosit, një prej gatimeve tradicionale shqiptare, kushton rreth 7 paund, ndërsa një birrë Korça rreth 1.31 paund.
Edhe akomodimi mbetet ndër alternativat më të lira. Sipas të dhënave të studimit, një natë qëndrimi në fillim të shtatorit kushton mesatarisht rreth 27.50 paund për person.
Për krahasim, një udhëtim i ngjashëm në Amsterdam do të kushtonte rreth 305 paund për person në ditë, ose rreth 915 paund për një qëndrim treditor.
Sipas Thomas Cook, destinacionet e Evropës Lindore dhe qytetet turke po ofrojnë gjithnjë e më shumë alternativa me çmime të përballueshme për turistët që kërkojnë udhëtime të shkurtra.
Pas Tiranës, ndër destinacionet më ekonomike të renditura në studim janë Bukureshti në Rumani, Antalia në Turqi dhe Varshava në Poloni.
Rritja e interesimit turistik për Shqipërinë, e shoqëruar me çmimet relativisht të ulëta, po e vendos Tiranën gjithnjë e më shumë në hartën e destinacioneve evropiane për udhëtarët me buxhet të kufizuar./atsh/A.K/
