Nën dritën e pyetjeve që prekin thelbin e ekzistencës, si njeriu dhe vetvetja, njeriu dhe qyteti, njeriu dhe natyra, si dhe njeriu përballë inteligjencës artificiale, festivalin letrar ndërkombëtar të të rinjve “Tirana Gate” do ta shohim si një platformë për reflektim dhe shkëmbim.
Ky festival, që zhvillohet nga 9 deri më 11 tetor në sallën “Tonin Harapi” të Liceut Artistik “Jordan Misja”, do t’i japë zë këtyre temave dhe shumë të tjerave, duke sjellë në qendër njeriun e sotëm dhe trysnitë e kohës.
Drejtoresha e festivalit, Irena Toçi, nënvizon se kjo ngjarje thekson rolin e Shqipërisë si një zë evropian në letërsi. “Tirana Gate” shërben si një hapësirë për shkëmbimin kulturor, ku autorët do të ndajnë përvoja, histori dhe ndjenja, duke krijuar një lidhje të veçantë mes njeriut dhe botës.
Ky aktivitet organizohet me mbështetje të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Bashkisë së Tiranës, Bashkimit Evropian, Traduki-it, Institutit Gëte, si dhe shumë institucioneve të tjera të rëndësishme.
Në mbrëmjen e parë të festivalit, do të ketë një ngjarje të veçantë në Qendrën për Hapje dhe Dialog, ku shkrimtarja greke Amanda Michalopoulou do të prezantojë për herë të parë në Shqipëri librin e saj “Përse e vrava shoqen time më të mirë”, me ndihmën e përkthyeses Isida Metaj. Michalopoulou, e njohur për veprat e saj që kanë marrë çmime të shumta, do të sjellë një perspektivë të re për lexuesit shqiptarë.
“Tirana Gate 2024” synon të krijojë një hapësirë kulturore dhe letrare për shkrimtarët e rinj evropianë, duke inkurajuar bashkëpunimin dhe ndarjen e ideve në një botë në vazhdimësi ndryshimi./UBTNews/