Më pak se një muaj para koncertit të reperit amerikan Kanye West në Tiranë, autoritetet shqiptare kanë intensifikuar përgatitjet për organizimin e ngjarjes, e cila pritet të jetë ndër eventet më të mëdha muzikore të mbajtura ndonjëherë në vend.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, së bashku me përfaqësues të institucioneve përgjegjëse, ka inspektuar nga afër punimet dhe masat organizative për garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së koncertit.
Sipas Gonxhjes, përgatitjet po zhvillohen me ritme intensive, ndërsa bashkëpunimi ndërinstitucional është kyç për menaxhimin e vizitorëve, transportit, sigurisë publike dhe shërbimeve emergjente.
Koncerti i Kanye West është planifikuar të mbahet më 11 korrik në Tiranë dhe pritet të mbledhë dhjetëra mijëra spektatorë nga Shqipëria, rajoni dhe vende të tjera, duke e shndërruar kryeqytetin shqiptar në një qendër të rëndësishme të muzikës ndërkombëtare gjatë sezonit veror.
