“Ibrox, zemër. Kjo është ndryshe”, ishin fjalët e lojtarit rumun Ianis Hagi, që mbron ngjyrat e Rangers, para disa ditësh dhe kjo gjë është dëshmuar përsëri.
Tifozët e skuadrës skoceze Rangers luajtën rolin e tyre në mënyrë mahnitëse duke krijuar atmosferë të zjarrtë në fitoren e mbrëmshme 3:1 të skuadrës së tyre kundër RB Leipzigut.
Mbrëmë në ndeshjen e kthimit skuadra e Rangers e mposhti me rezultat 3:1 skuadrën e RB Leipzig, ku rezultati i përgjithshëm brenda dy ndeshjeve është 3:2 për skocezët, kështu duke siguruar biletën drejt finales së Ligës së Evropës.
Trajneri i Rangers, Giovanni van Bronckhorst, kishte bërë thirrje drejt tifozëve që të jenë lojtari i 12, dhe këta të fundit u përgjigjën në mënyrën më të mirë.
Kjo ishte një natë historie në stadiumin “Ibrox” si dhe jashtë tij, dhe ata të cilët e përjetuan atmosferën do ta mbajnë gjithmonë në mend atë.
Që nga minuta e parë e ndeshjes e deri në përfundim të saj, i gjithë stadiumi ishte në këmbë duke kënduar dhe duke përkrahur klubin skocez.
Ky ishte një sukses i madh, një ndeshje ikonike, dhe një atmosferë vërtet e veçantë.