UBT News

Tifozët kuqezi do ndezin ‘Air Albanian’, për ndeshjen me Gjeorgjinë janë shitur rreth 10 mijë bileta

Kombëtarja shqiptare e futbollit bëhet gati për një tjetër rrugëtim magjepsës në arenën ndërkombëtare: Eliminatoret e Nations League.

Të freskët nga pjesëmarrja në finalet e Euro 2024, ku lanë shenjë me golin me të shpejtë në histori (pas vetëm 23 sekondash lojë) dhe barazimin kundër Kroacisë në kohën shtesë (shënuan Qazim Laçi dhe Klaus Gjasula), kuqezinjtë do të hyjnë me ambicie të larta në një fushatë ambicioze me skuadra të nivelit të lartë, të gjitha pjesëmarrëse në turneun e fundit të zhvilluar në Gjermani.

Rrugëtimi nis me ndeshjen e parë, në transfertë me Ukrainën, që do të zhvillohet më 7 shtator, në “Epet Arena”, në Pragë, ndërsa tri ditë më vonë, skena e spektaklit kuqezi do të zhvendoset në “Air Albania”, përballë Gjeorgjisë së Kvaraskhelias.

Që nga mesi i korrikut, kur dolën në shitje biletat, janë prenotuar nga tifozët kuqezi rreth 10 mijë bileta, një tendencë që tregon se deri më 10 shtator, ditën e ndeshjes, “Air Albania” me shumë mundësi do të jetë “sold out”.

I kuptueshëm ky interesim nga mbështetësit e Kombëtares, që gjithmonë e kanë luajtur “par excellence” rolin e tyre si lojtari i 12-të, e që në qytetet e Gjermanisë shpërthyen si “uragan”, duke e fituar Evropianin e tyre si një prej tifozërive më të zjarrta dhe paqësore.

Kalendari i plotë i ndeshjeve të Shqipërisë në Ligën e Kombeve:

07.09.2024 Ukrainë – Shqipëri 20:45

10.09.2024 Shqipëri – Gjeorgji 20:45

11.10.2024 Çeki – Shqipëri 20:45

14.10.2024 Gjeorgji – Shqipëri 18:00

16.11.2024 Shqipëri – Çeki 20:45

19.11.2024 Shqipëri – Ukrainë 20:45

Exit mobile version