Tifogrupi i kombëtares së Shqipërisë të njohur me emrin si ‘Tifozat Kuq e Zi’ kanë reaguar ndaj vendimit të Federatës së Futbolit të Shqipërisë për të shpallur kandidaturën e përbashkët me Serbinë për organizimin e Euro 2027 për grupmoshat U21.
Presidenti i FSHF-së, Armando Duka, javë më parë kishte konfirmuar kandidaturën e përbashkët të Shqipërisë me Serbinë për organizimin e Kampionatit Evropian 2027 për grupmoshat U21.
Arsyetimi i të parit të Federatës Shqipëtare të Futbollit ishte se Shqipëria nuk i plotëson kushtet elementare për organizimin e kësaj ngjarje.
Ndër të tjerash, ai kishte thënë se duhet angazhim i madh i dy qeverive të dy vendeve respektive, madje e kishte cilësuar si “lajm të mirë” për të dy popujt fqinj.
Ky njoftim nuk ishte pritur aspak mirë nga tifozët shqiptarë anembanë botës dhe tani “Tifozat Kuq e Zi” kanë ndërmarrë një nismë për të shprehur mllefin e tyre ndaj këtij.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, shihet se si ‘Tifozat Kuq e Zi’ kanë ngjyrosur me të kuqe rrugët pranë zyrave të FSHF-së, si dhe kanë ngjitur disa fotografi të luftës dhe gjenocidit që ushtria serbe ka ushtruar në popullin e Kosovës.
“Kundërshtojmë çdo nismë që mundohet ti rregulloj imazhin një populli barbar e gjenocidal. Kundërshtojmë çdo bashkëpunim me vrasësit me ata që shkaktuan me qindra masakra ndaj shqiptarëve dhe që deportuan me miliona nga shtëpitë e tyre gjatë gjithë historisë”, thuhet në postimin e tyre në Instagram./UBTNews/