Kampionja e Kosovës në hendboll, Besa Famgas ka zhvilluar ndeshje ndaj Borcit në Banjallukë të Bosnjë-Hercegovinës, të dielën mbrëma.
Ndeshja u fitua 28:25 nga Borci vendas. Kjo ishte ndeshja e parë e raundit të dytë të Kupës Evropiane për hendbollistë.
Më efikasi tek pejanët ishte Nikola Prce me 7 gola. 6 gola i shënoi Egzon Gjuka, ndërsa 5 i kishte Deniz Terziqi. Nga 3 gola i shtuan Kastriot Jupa e Arbios Mushkolaj, njofton Klankosova.tv
“Gjatë gjithë kohës tifozët e skuadrës vendase kanë fyer shqiptarët, duke bërë madje edhe thirrje për vrasjen e tyre. Por lojtarët e Besës kanë ruajtur qetësinë, janë shfaqur profesional dhe kanë luftuar deri në fund. Ndeshja ishte shumë e barabartë, ndërsa në aksionet e fundit Borci është shkëputur në tri gola”, njofton Federata e Hendbollit të Kosovës, transmeton Klan Kosova.
Ndeshja e kthimit zhvillohet pas një jave në Pejë, ndërsa Besa Famgas e synon përmbysjen e rezultatit dhe avancimin në raundin e tretë të Kupës Evropiane.
Ky duel do të zhvillohet në palestren sportive “Karagaçi”.