Trajneri Thierry Henry ka akuzuar rrjetet sociale se po “përfitojnë para përmes urrejtjes” dhe se ende nuk po ndërmarrin diçka për të luftuar abuzimin online në platformat e tyre.
Ish-sulmuesi i Arsenalit dhe Barcelonës ka bojkotuar të gjitha rrjetet sociale që nga muaji mars për shkak të komenteve raciste për futbollistët me ngjyrë, dhe siç thotë ai “paaftësisë së rrjeteve sociale” për të kërkuar përgjegjësi nga ta.
Vendimi i tij nxiti një valë yjesh të profilit të lartë që të ndiqnin shembullin e tij, gjë që përfundimisht çoi në një ndërprerje të gjerë të mediave sociale në Mbretërinë e Bashkuar nga futbollistët dhe organet drejtuese nga 30 prilli e deri më 3 maj.
Duke folur në Samitin e Uebit në Lisbonë, Henry njoftoi se do të nisë një fushatë së bashku me sponsorin e tij, Puma dhe fondacionin “Game of Our Lives” për të ndihmuar në luftimin e abuzimit në internet dhe për të bërë presion mbi kompanitë e mediave sociale për të ndërmarrë veprime më të ashpra.
“Na duhet ndihmë, jemi të prekur nga kjo. Unë si individ, jam mirë pa rrjete sociale. Na duhet ndihmë nga njerëzit në pozita më të larta. Ne duhet të bëhemi bashkë për një ligj që do t’i bënte këto platforma më të përgjegjshme. Nuk mendoj se janë duke bërë diçka për ne që të ndihemi më të sigurt. Ata as s’po provojnë të ndryshojnë diçka”, deklaroi ai./UBTNews