Thierry Henry ka ngritur shqetësime të forta mbi kalendarin e ngjeshur të futbollit dhe ndikimin e tij në shëndetin e lojtarëve. Në një intervistë për CBS, transmetuesin për të cilin punon, Henry ka shprehur kritikën e tij ndaj qeverisësve të futbollit botëror, UEFA-s dhe FIFA-s, lidhur me numrin e madh të ndeshjeve që zhvillohen gjatë një sezoni.
Henry, i cili ka qenë trajner i Francë U-21 dhe një ish-lojtar me përvojë të pasur, theksoi se, edhe pse është emocionues për të komentuar shumë ndeshje, ndjen se kalendari i ngjeshur po ndikon negativisht në shëndetin e lojtarëve. Ai shprehu shqetësimin e tij duke thënë: “Ka vërtet shumë ndeshje, si ish-lojtar sinqerisht nuk e di si ia dalin me kalendarin aktual. Si ish-lojtar dhe trajner duhet të them se janë shumë ndeshje.”
Henry vazhdoi të theksojë se, për lojtarët, ka një tension të vazhdueshëm për të qenë të pranishëm në çdo ndeshje, duke shtuar: “Mos mendoni ndryshe nga ç’është në të vërtetë, si futbollist dikush dëshiron të jetë në të gjitha këto ndeshje. Nga ana tjetër do të doje të jesh i freskët, i aftë për të luajtur dhe treguar të gjithëve se kush je në të vërtetë.” Ai theksoi se ndikimi nuk është vetëm fizik, por edhe mendor, me lojtarët që përballen me presion dhe tension të vazhdueshëm.
Henry e ka bërë të qartë se shqetësimi i tij është mbi mirëqenien dhe shëndetin e lojtarëve, duke kritikuar ashpër UEFA-n dhe FIFA-n për mënyrën si e menaxhojnë kalendarin e ndeshjeve: “Unë po flas vetëm për lojtarët dhe integritetin e tyre. I di pagesat, por në një pikë të caktuar ka rëndësi edhe mirëqenia, pra shëndeti i lojtarëve. Ky është këndvështrimi im i vetëm.”/UBTNews/