Në shënim të Ditës Botërore të Tokës, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar themelimin e Gardës për Mbrojtjen e Natyrës, një iniciativë që synon forcimin e bashkëpunimit mes qytetarëve dhe institucioneve.
Në një ceremoni ku morën pjesë Kryeministri Albin Kurti dhe Ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, është nënshkruar memorandumi i bashkëpunimit që i hap rrugë funksionalizimit të kësaj garde.
Sipas njoftimit, anëtarët e kësaj strukture do të punojnë ngushtë me Policinë e Kosovës për të parandaluar dhe trajtuar në mënyrë efikase krimet mjedisore në gjithë territorin e vendit.
Ministri Sveçla theksoi se mbrojtja e natyrës tashmë po kthehet në një angazhim të strukturuar dhe të organizuar, me qëllim ruajtjen e mjedisit për brezat e ardhshëm.
