UBT News

The Rolling Stones gati për albumin e ri, mund të rikthehen me turne europian

Legjenda britanike e rock-ut, The Rolling Stones, është “pothuajse gati” për të publikuar albumin e tyre të ri, sipas Marlon Richards, djalit të Keith Richards.

Pas suksesit të albumit Hackney Diamonds më 2023, albumi i 24-të i studios dhe i pari me këngë të reja që nga A Bigger Bang në 2005 – grupi duket se nuk ka ndërmend të ndalet. Albumi, që përfshinte edhe regjistrimet e fundit të bateristit Charlie Watts, i cili vdiq në 2021, u ngjit menjëherë në krye të top-listave britanike dhe fitoi Grammy për albumin më të mirë rock.

Në një intervistë për Record Collector, Marlon Richards tregoi se anëtarët e mbetur të grupit po punojnë intensivisht në studio në Londër.

“Janë aty çdo ditë, deri natën vonë. Mendoj se janë pothuajse gati. Grammy i fundit i ka motivuar shumë,” tha ai.

Ai shtoi se zërat për një turne po rriten: “Duket se po planifikojnë një turne në Europë”. Kjo vjen pas anulimit të mundshëm të turneut të këtij viti për shkak të problemeve me datat dhe vendet e koncerteve, ku ishin diskutuar qytete si Parisi, Londra, Barcelona dhe Roma.

Mick Jagger, 82 vjeç, Keith Richards, 81 vjeç, dhe Ronnie Wood, 78 vjeç, vazhdojnë të sfidojnë kohën dhe, nëse gjithçka shkon sipas planeve, viti 2026 mund të sjellë rikthimin madhështor të grupit në skenat europiane.

Pyetja mbetet: a do të arrijnë fansat këtë herë të marrin atë që duan?

Përgatiti: A.Z. /UBT News/

Exit mobile version