UBT News

The Independent: Thaçi mbyll kapitullin në Hagë si “burrë shteti dhe paqebërës”

Media prestigjoze britanike, The Independent, i ka kushtuar një vëmendje të veçantë seancës përmbyllëse të gjyqit ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke e portretizuar atë si një udhëheqës që u paraqit para trupit gjykues me petkun e një “burrë shteti dhe paqebërësi”.

Në raportimin e saj, gazeta britanike nënvizon se Thaçi shfrytëzoi fjalën e tij të fundit në Dhomat e Specializuara për të hedhur poshtë të gjitha akuzat për krime lufte, duke i cilësuar ato si “të pabaza” dhe “propagandë”. Sipas The Independent, ish-lideri i UÇK-së u kërkoi gjyqtarëve ndërkombëtarë pafajësi të plotë, duke argumentuar se jeta e tij ka qenë e udhëhequr nga idealet perëndimore të drejtësisë dhe lirisë.

Artikulli citon deklaratën emocionuese të Thaçit, ku ai theksoi se rikthimi i tij në Kosovë gjatë luftës nuk ishte një tentativë për pushtet, por një sakrificë për lirinë e popullit të tij. “Nuk u ktheva për të rrezikuar jetën time për kontroll apo për pushtet. U ktheva në atdheun tim, duke rrezikuar jetën, për liri dhe për paqe,” citohet të ketë thënë Thaçi nga The Independent.

Media britanike vë në dukje kontrastin e fortë mes portretizimit të Thaçit si paqebërës dhe pretendimeve të prokurorisë, e cila ka kërkuar një dënim prej 45 vitesh burg. Ndërsa prokurorja Kimberly West e akuzon atë për përndjekje të kundërshtarëve politikë, The Independent thekson se për shumë kosovarë, ky proces shihet si një përpjekje për të rishkruar historinë dhe për të barazuar krimet e agresorit me vuajtjet e viktimës.

Raportimi mbyllet duke përmendur marshimin masiv në Prishtinë dhe emocionet në galerinë e gjykatës, ku mbështetësit u panë me lot në sy teksa Thaçi përfundonte fjalimin e tij gati trevjeçar. Tashmë, pas kësaj deklarate të fuqishme që The Independent e cilëson si një akt prej burrë shteti, topi mbetet në fushën e gjyqtarëve, vendimi i të cilëve pritet të jepet pas disa muajsh.

 

Exit mobile version