UBT News

‘The Albanian Virgin’: Një film për lirinë dhe dashurinë në kohëra të errëta

“The Albanian Virgin” (Virgjëresha shqiptare) titullohet filmi me regjisor Bujar Alimanin, i cili do të ketë premierën në edicionin e 37 të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Varshavë më 8 tetor.

Me skenar të Katja Kittendorf dhe protagoniste Rina Krasniqin, “The Albanian Virgin” i bazon ngjarjet në vitin 1958 si kohë historike.

Luana, vajza e një burri të respektuar në një fshat, bëhet shoqe me Agimin, djalin e një burri të dëbuar nga komunistët. Vite më vonë, shoqëria e tyre shndërrohet në një dashuri adoleshentësh, e cila kthehet në problem për familjen. Kjo e fundit e kishte “premtuar” Luanën për t’u martuar me djalin e një familjeje tjetër (Nik Xhelilaj), që në kohën kur ajo ishte fëmijë.

Referuar trailerit, Luana vendoset përballë dilemës: të arratiset me të dashurin dhe të rrezikojë të kapet, madje edhe të vritet, apo t’i bindet kanunit. Personazhi kupton se mjedisi ku jeton është një mallkim për gratë dhe nuk ka zgjidhje tjetër veçse të bëhet një prej tyre – një burrë.

Historia përshkruhet si “një ngjarje thellësisht njerëzore për lirinë, e cila është gjëja më e rëndësishme, edhe nëse çmimi që paguhet është vetmia”.

Pjesë e kastit janë Rina Krasniqi, Nik Xhelilaj, Kasem Hoxha, Alban Ukaj, Astrit Kabashi, Gresa Pallaska, Jonida Vokshi, Mimoza Azemi, Shkurte Sulejmani, Viktor Zhusti, Lulzim Zeqja etj.

Burimi: anabelmagazine

Exit mobile version