Seanca për dhënien e verdiktit final në Hagë do të mbahet më 16 shtator. Kryegjyqtari Charles Smith ka urdhëruar palët që të mos dërgojnë më parashtresa për shqyrtimin e ardhshëm të paraburgimit, i cili sipas afateve ishte caktuar më 9 tetor 2026, rreth një muaj pas verdiktit.
Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të qëndrojë në paraburgim deri në shpalljen e aktgjykimit në rastin kundër tij dhe Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Për të fundit herë para verdiktit të 16 shtatorit, Trupi Gjykues ka refuzuar lirimin e tij me kusht, duke i vazhduar ndalimin për të 27-tën herë.
Në vendimin e datës 10 gusht, Trupi Gjykues si arsye kryesore të vazhdimit të paraburgimit ka dhënë pretendimin se Thaçi mund të ndikojë në proces apo te dëshmitarët, ndërsa ka theksuar se nuk ka rrezik që ai t’i ikë drejtësisë.
“Paneli përfundon se, në këtë kohë, vazhdon të ketë informacion të pamjaftueshëm para tij që justifikon një konstatim se z. Thaçi mund t’i shmanget drejtësisë nëse lirohet. Megjithatë, Paneli është i kënaqur, bazuar në standardin përkatës, se ekziston një rrezik i mjaftueshëm që z. Thaçi do të pengojë përparimin e procedurave të Dhomave të Specializuara dhe se ai do të kryejë krime të mëtejshme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, përfshirë dëshmitarët që kanë dhënë prova në këtë çështje”, thuhet në vendim.
Sa i përket anullimit të parashtresave për paraburgimin, në vendim sqarohet:
“Paneli vëren se, në përputhje me nenin 41(10), shqyrtimi i ardhshëm i paraburgimit të z. Thaçi, në parim, është i caktuar të bëhet të premten, më 9 tetor 2026, përveç nëse Aktgjykimi shpallet ndërkohë. Duke pasur parasysh se seanca për shpalljen e Aktgjykimit është caktuar për të mërkurën, më 16 shtator 2026, Paneli konsideron se nuk është e nevojshme të urdhërojë Palët të dorëzojnë parashtresa lidhur me shqyrtimin e ardhshëm të paraburgimit.”
Ish-kryetarit të shtetit i është vazhduar paraburgimi edhe në rastin tjetër ku akuzohet për pengim të drejtësisë në Gjykatën Speciale. Për këtë çështje, palët janë urdhëruar që deri më 14 shtator të dorëzojnë komentet e tyre, ndërsa një vendim i ri pritet të merret gjatë muajit shtator. /Ekonomia Online/
