UBT News

Tetori kuqezi: Ndeshje vendimtare për futbollin shqiptar!

Muaji tetor pritet të jetë shumë i rëndësishëm për futbollin shqiptar, me të gjitha ekipet kombëtare, djem e vajza, që do të zbresin në fushën e lojës për ndeshje vendimtare.

Kombëtarja e djemve:

Ekipi i djemve, i drejtuar nga trajneri Silvinjo, do të zhvillojë dy takime të rëndësishme në kuadër të Ligës së Kombeve. Shqipëria do të përballet me Çekinë në transfertë më 11 tetor në orën 20:45, dhe me Gjeorgjinë tri ditë më vonë, më 14 tetor, në orën 18:00. Këto ndeshje janë kyçe për përparimin e ekipit në kompeticion.

Kombëtarja e vajzave:
Në anën tjetër, kombëtarja e vajzave, e drejtuar nga Armir Grima, do të luajë dy ndeshje të rëndësishme ndaj Norvegjisë. Ndeshja e parë do të zhvillohet më 25 tetor në stadiumin “Loro Boriçi” në orën 16:00, ndërsa e dyta më 29 tetor në Ullevaal Stadion, në orën 19:00. Këto sfida janë pjesë e raundit të parë të play-off-it për Kampionatin Europian “Zvicër 2025”. Nëse Shqipëria kalon me sukses këtë raund, do të përballet me fituesen e çiftit Kroaci – Irlandë e Veriut.

Kombëtaret e moshave:
Tetori gjithashtu sjell angazhime për ekipet kombëtare të moshave. Kombëtarja U-17 e djemve, e drejtuar nga Andrea Tedesco, do të luajë ndeshjet e raundit të parë kualifikues për Kampionatin Europian “Shqipëri 2025” në datat 9, 12 dhe 15 tetor, përballë Kroacisë, Hollandës dhe Ishujve Faroe, të gjitha në Shqipëri.

Kombëtarja U-17 e vajzave do të zhvillojë raundin e saj të parë kualifikues për Kampionatin Europian në Shqipëri nga 30 tetori deri më 5 nëntor, përballë Kosovës dhe Izraelit.

Kombëtarja U-21 do të luajë ndeshjen e fundit të kualifikueseve të Europianit U-21 ndaj Armenisë më 15 tetor në “Air Albania”, në orën 18:00. Kjo është një ndeshje vendimtare për ekipin Shpresa.

Përsa i përket ekipit U-19, dy sfida miqësore ndaj Malit të Zi do të zhvillohen më 11 dhe 13 tetor, si teste përpara ndeshjeve zyrtare të kualifikimeve.

Ekipi U-15 për vajza do të përballet me Estoninë më 2 tetor dhe Maqedoninë e Veriut më 5 tetor në kuadër të turneut “UEFA Development”. Kombëtarja U-15 për djem gjithashtu do të marrë pjesë në një turne, duke përballur Bosnje-Hercegovinën, San Marinon dhe Ishujt Faroe nga 20 deri në 28 tetor.

Me këto ndeshje, tetori shfaqet si një muaj me sfida të mëdha për futbollin shqiptar, duke premtuar emocione dhe mundësi për sukses në nivele të ndryshme./UBTNews/

 

 

Exit mobile version