Tetë vjet më parë, Kosova u bë anëtarja më e re e familjes së futbollit evropian, UEFA, në Kongresin e 40-të të mbajtur në Budapest të Hungarisë duke i dhënë kështu fund izolimit të futbollit kosovar.
Edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi përmes një postimi në Facebook ka uruar Kosovën në tetëvjetorin e pranimit në UEFA.
“3 maj, 2016 është data që ka hyrë në analet e historisë së Kosovës, e në veçanti futbollit. Si sot, 8 vjet më parë, Kosova u bë anëtarja më e re e familjes së futbollit evropian, UEFA, në Kongresin e 40-të të mbajtur në kryeqytetin e Hungarisë – Budapest. Ky ishte vendimi që i dha fund izolimit tonë të padrejtë prej dy dekadash e gjysmë. Kalimi i kësaj sfide nuk ishte i lehtë, mirëpo mes emocioneve përplot tension e ankth gjatë punimeve të këtij kongresi, në fund fitoi e drejta – fitoi Kosova.Nga aty filloi një epokë e re për Federatën e Futbollit të Kosovës. Që nga ajo ditë, zhvillimi e sukseset kanë shënuar rritje të vazhdueshme”, ka thënë i pari i Federatës.
Poashtu Ademi shtoi duke thënë se klubet e futbollit të Kosovës kanë dëshmuar vlerat e tyre në arenën ndërkombëtare, duke na bërë krenarë me përfaqësimin dinjitoz.
“Klubet tona kanë demonstruar vlerat e tyre në arenën ndërkombëtare, duke na bërë krenarë me përfaqësimin dinjitoz. Niveli i ligës është rritur dukshëm dhe jemi ndër kampionatet më të vlerësuara në rajonin tonë. Ekipet kombëtare janë konsoliduar, kanë bërë përparime të dukshme dhe janë në ndjekje të ëndrrës së madhe kualifikimit në finalet e kompeticioneve madhore”, shtoi ai./UBTNews/