UBT News

Tetë raste të dhunës në familje brenda një dite në Kosovë

Brenda vetëm një dite, në Policinë e Kosovës janë raportuar gjithsej tetë raste të dhunës në familje, duke shpërfaqur një situatë shqetësuese në disa komuna të ndryshme të vendit. Incidentet e regjistruara përfshijnë sulme fizike, dhunë psikologjike, dëmtim të pronës shtëpiake si dhe raste ku ka qenë e nevojshme edhe ndërhyrja mjekësore për viktimat.

Rajoni i Prishtinës ka shënuar numrin më të madh të rasteve. Në kryeqytet është intervistuar një burrë nën dyshimin se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj një gruaje, ku me vendim të prokurorit palët janë liruar në procedurë të rregullt.

Ndërkaq, në Fushë-Kosovë janë regjistruar tri raste të ndara: në të prinin arrestimi i një gruaje që dyshohet se ka demoluar e thyer orenditë e shtëpisë, si dhe përleshja fizike mes një burri dhe një gruaje pas një përplasjeje verbale, ku të dy u liruan më pas.

Po në Fushë-Kosovë, një burrë është dërguar direkt në mbajtje pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje, e cila është detyruar të kërkojë ndihmë mjekësore për shkak të lëndimeve të pësuara.

Raste të tjera të dhunës dhe sulmeve fizike janë raportuar edhe në qytete të tjera të Kosovës. Në Graçanicë, policia ka arrestuar një burrë që në gjendje të dehur ka sulmuar fizikisht një grua, rast ky që do të vazhdojë në procedurë të rregullt. Në Klinë po ashtu është raportuar një sulm fizik i një burri ndaj një gruaje, me të dyshuarin që është liruar me urdhër të prokurorit.

Ndërkaq, masa më të rrepta janë marrë në Ranillug dhe Gjakovë, ku dy burra janë dërguar në mbajtje: i pari për shkak se dyshohet se ka ushtruar në mënyrë të vazhdueshme dhunë psikologjike ndaj një gruaje, ndërsa i dyti në Gjakovë për ushtrim të dhunës psikike ndaj një burri tjetër në familje. /E.A/

 

Exit mobile version