Në Policin e Kosovës janë raportuar tetë raste të ndara të dhunës në familje në disa qytete të vendit, gjatë 24 orëve të fundit, ku disa persona janë arrestuar ndërsa disa raste janë duke u trajtuar në procedurë të rregullt.
Në Pejë janë raportuar disa raste, ku në një rast një i dyshuar është arrestuar pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht viktimën grua, e cila ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Në një rast tjetër, një viktimë grua ka kërkuar ndihmë mjekësore pas dhunës psikike dhe fizike, ndërsa i dyshuari ndodhet në kërkim policor.
Po ashtu, në një rast tjetër në këtë qytet, një i dyshuar është arrestuar për dhunë psikike dhe fizike ndaj viktimës dhe është dërguar në mbajtje.
Në Istog, një rast i dhunës psikike është raportuar, ku pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt.
Në Deçan, dy persona janë arrestuar nën dyshimin për dhunë fizike ndaj dy viktimave, ku njëra prej tyre ka pësuar lëndime dhe ka marrë trajtim mjekësor. Pas procedurave, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.
Në Rahovec, një grua ka pranuar trajtim mjekësor pas dyshimeve për dhunë psikike dhe fizike, ndërsa pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti po vazhdon në hetim.
Në Gjakovë, një i dyshuar është arrestuar pasi dyshohet se në gjendje të dehur ka ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës grua, e cila ka marrë trajtim mjekësor. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.
Në Prishtinë, një i dyshuar është arrestuar nën dyshimin për ushtrim të dhunës psikike ndaj dy viktimave gra, ndërsa pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt.
