UBT News

Tetë hendbolliste të Kosovës pjesë e Kampit Ndërkombëtar në Poreç

Tetë hendbolliste të reja, anëtare të Kombëtares U17 të Kosovës, po marrin pjesë në një kamp ndërkombëtar të hendbollit që po zhvillohet në Poreč, me synim avancimin e aftësive të tyre sportive dhe teknike.

Hendbollistet kosovare, të cilat janë pjesë e klubeve vendore, po stërviten krahas talenteve të tjera në këtë kamp që ka nisur më 14 qershor dhe do të përfundojë më 19 qershor. Pjesë e kampit është edhe Faruk Shala, trajner i Kombëtareve të reja të Kosovës dhe kryetar i Shoqatës së Trajnerëve të Hendbollit të Kosovës.

Kampi udhëhiqet nga eksperti i njohur kroat Nenad Šoštarić, ndërsa në procesin e punës me sportistet e reja janë të angazhuar edhe trajnerë të tjerë me përvojë dhe reputacion në hendbollin kroat.

Sipas Faruk Shalës, programi i kampit është i fokusuar në zhvillimin e aftësive individuale dhe grupore, si dhe në avancimin e elementeve teknike të lojës së hendbollit.

“Programi i kampit është i fokusuar në ngritjen e aftësive individuale dhe grupore, si dhe në avancimin e elementeve teknike të lojës së hendbollit. Mënyra se si është organizuar kampi mundëson punë të specializuar dhe të përshtatur për të gjitha pjesëmarrëset. Kampi është mundësi e mirë për hendbollistet tona të reja që të përfitojnë nga përvoja e trajnerëve me renome ndërkombëtare dhe të zhvillojnë më tej aftësitë e tyre sportive”, ka deklaruar Shala.

Ai shtoi se përvoja e fituar në kampin e Poreçit do të jetë shumë e vlefshme për zhvillimin e mëtejmë dhe karrierën sportive të hendbollisteve të talentuara të Kosovës.

Federata e Hendbollit e Kosovës vazhdon t’i kushtojë rëndësi të veçantë zhvillimit dhe avancimit të hendbollistëve të rinj, duke krijuar mundësi për pjesëmarrje në aktivitete ndërkombëtare dhe programe edukative që kontribuojnë në ngritjen e cilësisë së sportit në vend.

D.L

Exit mobile version