UBT News

Terras kritikon BE-në për këngën nacionaliste serbe: Provokim i qëllimshëm ose injorancë e pastër

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, ka kritikuar ashpër Bashkimin Evropian lidhur me interpretimin e muzikës së këngës nacionaliste serbe kundër Kosovës në Bruksel, gjatë hapjes së Forumit të Zgjerimit të BE-së, i cili organizohet nga Komisioni Evropian nën udhëheqjen e komisioneres për zgjerim, Marta Kos.

Terras e ka cilësuar këtë veprim si një provokim të qëllimshëm ose injorancë të pastër, duke theksuar se Komisioni Evropian dhe komisionerja Kos i detyrohen Kosovës një shpjegim.

“Një provokim i qëllimshëm, ose një shfaqje e pastër e injorancës. Interpretimi i një kënge nacionaliste serbe, e cila pretendon sovranitet mbi Kosovën, në një aktivitet të BE-së për zgjerimin, përbën një gafë jashtëzakonisht të papërshtatshme dhe pa shije. Komisioni Evropian dhe Marta Kos i kanë borxh Kosovës një shpjegim”, ka shkruar ai në platformën “X”.

Edicioni i dytë i këtij Forumi ka nisur sot dhe përfundon të hënën, ndërsa Kosova nuk është e ftuar në të. Një ditë para ngjarjes kryesore, në kuadër të mbrëmjes hapëse më 15 nëntor, ku sipas programit ishte paraparë të interpretonte Orkestra e të Rinjve të Ballkanit Perëndimor së bashku me grupin slloven “Kapobanda”, u luajt ndër të tjera edhe muzika e këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo”, videoja e së cilës është siguruar nga KOHA.

Ndërkohë, në programin e ditës kryesore, më 16 nëntor, është paraparë të mbajnë fjalime presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, dhe komisionerja për zgjerim, Marta Kos, ndërsa pritet të flasë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. /E.A/

Exit mobile version