Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, priti sot në takim komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Franco Federici.
Në këtë takim njohës, Myftiu Tërnava i uroi mirëseardhje gjeneralmajorit Federici, duke i dëshiruar punë të mbarë dhe të suksesshme në misionin e tij. Ai më pas e njohu me punët dhe aktivitetet që zhvillon institucioni i Bashkësisë Islame të Kosovës për mirëqenien e të gjithë qytetarëve pa dallim.
Myftiu Tërnava shprehu mirënjohjen e tij për misionin dhe përkushtimin e forcave paqeruajtëse të KFOR-it, duke shprehur kështu vlerësimin dhe respektin e lartë që kanë qytetarët e Kosovës për ta.
Myftiu Tërnava tha po ashtu se BIK ka një bashkëpunim shumë të ngushtë më KFOR-in ku kanë organizuar projekte humanitare të përbashkëta në të mirë të qytetarëve të Kosovës.
Nga ana e tij, gjeneralmajori Franco Federici falënderoi Myftiun Tërnava për pritjen dhe nëpërmes tij vlerësoi lart punën dhe angazhimin që ka Bashkësia Islame e Kosovës për mirëqenien e të gjithë qytetarëve, duke vlerësuar kështu harmoninë ndërfetare, tolerancën dhe bashkëjetesën ndërmjet gjithë qytetarëve pa dallim.
Ai shprehu gatishmërinë e tij dhe të KFOR-it për krijimin e sigurisë për të gjithë qytetarët dhe se bashkëpunimi mes BIK-ut dhe KFOR-it do të vazhdojë edhe më tej.