Pasi që, tashmë, temperaturat e ajrit janë ngritur dhe duke u bazuar në parashikimet meteorologjike për një ngritje të mëtutjeshme të temperaturave ditëve në vazhdim, Termokosi në koordinim të plotë me Komunën e Prishtinës dhe KEK-un, ka marrë vendim, që të ndërpresë nesër furnizimin me ngrohje.
Ky është sezoni i gjashtë ngrohës, gjatë të cilit për shkak të rënies së temperaturave të ajrit, Termokos ka vazhduar furnizimin me ngrohje edhe jashtë afatit të zakonshëm ligjor, duke përmbushur kështu nevojën dhe kërkesën e konsumatorëve tanë për ngrohje.
“Me një trend pozitiv të zhvillimit dhe progresit të vazhdueshëm Termokos e përmbyllë edhe sezonin ngrohës 2021/2022 me një varg suksesesh të shënuara, si në rritjen e prodhimit të energjisë termike, shpërndarjen e energjisë tek konsumatorët, rritjen e numrit të konsumatorëve, faturimin dhe inkasimin”, thuhet në komunikatën e Termokos.
“Suksesi i arritur gjatë këtij sezoni ngrohës – vijoi Termokos- i atribuohet angazhimit të pakursyer të secilit punëtorë të ndërmarrjes si dhe kontributit të konsumatorëve tanë, që nëpërmes pagesës me rregull të faturave të ngrohjes na kanë mundësuar, që të realizojmë me sukses misionin tonë si dhe të vazhdojmë me realizimin e projekteve tjera, në funksion të ngritjes së cilësisë dhe modernizimit të shërbimeve tona”.