Dy tërmete të fuqishme, me magnitudë 7.2 dhe 7.5 ballë, kanë goditur Venezuelën brenda një minute duke shkaktuar të paktën 32 të vdekur dhe rreth 700 të plagosur, sipas shifrave të para zyrtare të bëra të dita nga presidentja e përkohshme, Delcy Rodríguez.
Kryeqyteti Karakas dhe zonat përgjatë bregdetit verior, si La Guaira, janë prekur më së rëndi nga lëkundjet, të cilat u pasuan nga më shumë se 20 pasgoditje, duke detyruar banorët e tmerruar ta kalojnë natën jashtë nga frika e shembjes së ndërtesave të dëmtuara.
Raportohet për objekte të shkatërruara plotësisht, njerëz të bllokuar nën rrënoja dhe dëmtime të shumta nëpër dyqane e rrugë, ndërsa Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së (USGS) ka paralajmëruar se ekziston një rrezik i lartë që numri i viktimave të rritet ndjeshëm për shkak të fuqisë dhe natyrës komplekse të tërmeteve.
Si pasojë e kësaj katastrofe, në vend është shpallur gjendja e jashtëzakonshme kombëtare, janë pezulluar shërbimet e metrosë dhe trenave, janë anuluar mësimet për pjesën e mbetur të javës dhe është mbyllur aeroporti ndërkombëtar “Maiquetía” pas shembjes së tavanit.
Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar ka reaguar menjëherë duke ofruar ndihmë; Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, premtoi mbështetje të shpejtë përmes të gjitha agjencive qeveritare dhe dërgimin e ekipeve të kërkim-shpëtimit, ndërsa liderë të tjerë nga Amerika Latine dhe bota, përfshirë kryeministrin indian Narendra Modi dhe presidentët e El Salvadorit, Ekuadorit, Brazilit e Kilit, kanë shprehur solidarizimin e tyre dhe kanë nisur përgatitjet për dërgimin e tonelatave me pajisje, furnizime mjekësore dhe personat të specializuar për menaxhimin e krizave. /BBC/ /E.A/
Foto: Getty Images
