UBT News

Tentimi i fundit për zgjedhjen e Presidentit sonte në orën 23:00

Seanca për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës është shtyrë për në orën 23:00, pak para skadimit të afatit kushtetues të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, njoftoi se deputetët do të mblidhen edhe një herë gjatë natës për një përpjekje të fundit për zgjedhjen e kreut të shtetit.

Seanca e sotme, sikurse edhe ato paraprake, është karakterizuar nga mungesa e partive opozitare, të cilat kanë bojkotuar procesin. Pas rifillimit të shkurtër të punimeve, Haxhiu e ndërpreu sërish seancën për shkak të mungesës së kuorumit të plotë, duke bërë të ditur se ajo do të vazhdojë në orën 23:00.

Në seancën e së hënës, ku morën pjesë vetëm deputetët e shumicës, u hodhën në votim dy kandidatet e propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha. Rushiti mori 63 vota në rundin e parë, ndërsa Hoxha nuk arriti të sigurojë asnjë votë; një votë rezultoi e pavlefshme.

Përfaqësues të opozitës dhe të shoqërisë civile kanë kundërshtuar procesin, duke vlerësuar se votimi pa pjesëmarrjen e plotë të deputetëve cenon rendin kushtetues.

Nëse Kuvendi dështon të zgjedhë presidentin deri në mesnatë, vendi pritet të shkojë në zgjedhje të reja.

Exit mobile version