UBT News

Tensionet Ukrainë-Rusi, gazsjellësi Nord Stream 2 pjesë e sanksioneve

Presidenti Joe Biden bisedoi në telefon me presidentin ukrainas, Volodimir Zelensky dhe ritheksoi mbështetjen e SHBA-së, në rast të një pushtimi rus.

Të dy udhëheqësit diskutuan mundësinë që Uashingtoni të shtojë ndihmën ekonomike. SHBA po kërcënon Rusinë me pezullimin e gazsjellësit Nord Stream 2.

“Për sa i përket Nord Stream 2, ne vazhdojmë të kemi biseda shumë të forta dhe të qarta me aleatët tanë gjermanë dhe dua të jem e qartë me ju sot: nëse Rusia pushton Ukrainën, në një mënyrë ose në një tjetër, Nord Stream 2 nuk do të ecë përpara”, u shpreh Victoria Nuland, nënsekretare e Shtetit për Çështjet Politike.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, nuk e mirëpret këtë gazsjellës dhe mund të mbështesë ndalimin e infrastrukturës.

Por kjo çështje është jashtëzakonisht polemike dhe mund të sjellë tension në koalicionin gjerman. Kancelari Olaf Scholz dhe Biden do të takohen më 7 shkurt.

Rusia nga ana tjetër vazhdon të grumbullojë trupa pranë kufirit me Ukrainën, dhe në anën bjelloruse.

Por qeveria në Kiev këmbëngul se kërcënimi i pushtimit nuk është më aq i madh. Analistët thonë se një perspektivë shumë alarmante mund të dëmtojë ekonominë dhe opinionin publik.

Exit mobile version