Presidenti francez, Emmanuel Macron, do të takohet me liderin rus Vladimir Putin dhe atë të Ukrainës Volodymyr Zelensky gjatë datave 7 dhe 8 shkurt për të diskutuar situatën në Ukrainë, ndërsa liderët e botës perëndimore përpiqen të shmangin një konflikt të madh me Rusinë për Ukrainën.
Macron ka thënë se gjetja e një mënyre për negociata sa i përket uljes së tensioneve mbi Ukrainën ishte prioritet. Ai mbajti telefonata të veçanta me liderin rus dhe ukrainas të enjten në përpjekje për të bërë përparim në statusin e rajonit të Donbasit si pjesë e përpjekjeve për të zbutur tensionet, tha zyra e Macron.
Sipas deklaratës së zyrës së Macronit, ky i fundit i kishte theksuar Vladimir Putinit dhe Volodymyr Zelensky rëndësinë e diskutimit për të arritur ekuilibrin strategjik në Evropë, i cili do të mundësonte uljen e tensionit në terren dhe garantimin e sigurisë në kontinent.