UBT News

Tensionet në Lindjen e Mesme: Çmimi i naftës arrin 100 dollarë pas sulmeve të reja

Situata në Lindjen e Mesme është rënduar ndjeshëm gjatë orëve të fundit, duke shkaktuar trazira të mëdha në tregjet botërore dhe pasiguri të lartë në rajon.

Çmimi i naftës ka shënuar rritje të menjëhershme duke prekur vlerën prej 100 dollarë për fuçi, pas sulmeve të reja ndaj anijeve tregtare në Gjirin Persik.

Edhe pse 32 shtete u pajtuan të mërkurën që të nxjerrin në treg 400 milionë fuçi nga rezervat e tyre për të qetësuar tregun, sulmet e fundit ndaj dy anijeve cisternë afër Irakut dhe një anijeje transportuese pranë Emirateve të Bashkuara Arabe kanë mbajtur çmimet në nivele të larta.

Përveç krizës së energjisë, rajoni është përfshirë nga një valë sulmesh ajrore. Në Liban, goditjet izraelite në bregdetin e Bejrutit kanë lënë të vdekur të paktën tetë persona, ndërkohë që janë raportuar sulme iraniane në Bahrejn dhe Oman.

Në Dubai, një dron ka goditur një ndërtesë të lartë, duke shkaktuar dëme të dukshme por pa lëndime në njerëz. Gjithashtu, një raketë ka goditur një bazë italiane në veri të Irakut, fatmirësisht pa shkaktuar pasoja te ushtarët.

Në anën tjetër, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se çmimet e naftës do të pësojnë rënie të madhe, duke i cilësuar lëkundjet aktuale si një “pasojë lufte” që do të rregullohet më shpejt nga sa pritet.

Megjithatë, gjendja në terren mbetet e ndezur me alarmet që vazhdojnë të dëgjohen në Bahrejn dhe largimet e reja të urdhëruara nga Izraeli në jug të Libanit, ndërsa bankat ndërkombëtare kanë filluar të mbyllin zyrat e tyre në Gji për shkaqe sigurie. /BBC/

 

 

Exit mobile version