UBT News

Tensione dhe përplasje fizike në Kuvendin e Kosovës

Salla e Kuvendit të Kosovës është shndërruar në një arenë tensionesh të mërkurën, pasi deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë qëndruar brenda hapësirës parlamentare duke kërkuar vazhdimin e seancës konstituive për legjislaturën e 11-të.

Prania e tyre ka bërë të pamundur zhvillimin e aktiviteteve të planifikuara me qytetarët dhe mërgimtarët, çka ka nxitur përplasje të njëpasnjëshme me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV). Para se situata të eskalonte, përfaqësues të PDK-së dhe AAK-së i kërkuan nga foltorja kryesuesit Avni Dehari që të ftojë vazhdimin e seancës.

Përplasjet verbale për afatet kushtetuese

Gjatë një debati në sallë, deputetja e LVV-së, Donika Gërvalla, deklaroi se afati 30-ditor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit nis pas thirrjes së seancës konstituive, duke theksuar se sipas interpretimit të tyre, ky proces mund të mbyllet deri më 6 shtator.

Ndaj këtij qëndrimi reagoi deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, i cili e quajti të pakuptimtë dërgimin e sërishëm të çështjes në Gjykatën Kushtetuese për të interpretuar një vendim ekzistues. Gruda solli shembuj nga kushtetutat e vendeve evropiane si Gjermania, Franca e Italia, duke nëvizuar se asnjëra prej tyre nuk përcakton pasoja për moskonstituim brenda afatit 30-ditor.

Përleshje fizike dhe gjuajtje me ujë

Amienti në sallë u përkeqësua kur debati mes deputetit të PDK-së, Mërgim Lushtaku, dhe atij të LVV-së, Adnan Rrustemi, eskaloi në shtyrje fizike. U desh ndërhyrja e deputetëve të tjerë, përfshirë Artan Behramin dhe Ardian Golën, për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm.

Tensionet vazhduan edhe më tej, ku në një tjetër moment verbal e fizik, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, gjuajti me ujë deputeten e LVV-së, Donika Gërvalla. Përveç përplasjeve mes deputetëve, gjatë ditës u shënuan edhe pengesa në adresimin e deputetëve për gazetarët dhe qytetarët e pranishëm.

Exit mobile version