Humbja shkatërruese nga Liverpooli me rezultat 7:0 ka bërë që shumë tifozë të Manchester United të revoltohen ndaj lojtarëve të skuadrës që e përkrahin.
Kritika të shumta pas humbjes kishte edhe për mesfushorin e “Djajve të Kuq”, Bruno Fernandes, ku tifozë të shumtë dhe analistë kanë bërë thirrje që t’i hiqet shiriti i kapitenit.
Por, i të njëjtit mendim nuk është trajneri i United, Erik ten Hag, i cili e konfirmoi se Fernandes do të vazhdojë të jetë kapiteni i skuadrës së tij.
“Unë jam shumë i lumtur që e kam Bruno Fernandes si kapiten. Sigurisht ai do të jetë ende kapiten, unë mendoj se ai është duke pasur një sezon fantastik, ai ka luajtur një rol kyç në pozicionin që gjendemi ne”, tha Ten Hag.
“Ai po i jep energji skuadrës, duke vrapuar me intensitet, në rrugën e duhur”, tha më tej Ten Hag.