Erik ten Hag ka deklaruar se Cristiano Ronaldo e zhgënjeu ekipin dhe atë personalisht gjatë periudhës kur të dy punonin te Manchester Unitedi. Trajneri holandez ka folur gjithashtu për premtimet e parealizuara nga drejtuesit e klubit, të cilat, sipas tij, ndikuan në largimin e tij në tetor të vitit 2024.
Ronaldo u rikthye te Manchester Unitedi në gusht të vitit 2021, ndërsa Ten Hag mori drejtimin e skuadrës një vit më vonë, duke pasuar Ole Gunnar Solskjaerin.
Megjithatë, marrëdhënia mes tyre u përkeqësua brenda një kohe të shkurtër. Në tetor të vitit 2022, portugezi refuzoi të futej në lojë si zëvendësues në fitoren ndaj Tottenhamit, ndërsa më vonë kritikoi publikisht klubin në një intervistë televizive. Si pasojë, kontrata e tij u ndërpre me marrëveshje të dyanshme në nëntor të po atij viti.
Në një intervistë për gazetën The Athletic, pjesë të së cilës i kanë publikuar disa mediume angleze, Ten Hag shpjegoi arsyet që e shtynë të merrte vendime të vështira për sulmuesin portugez.
“Ai e zhgënjeu ekipin dhe më zhgënjeu edhe mua, pasi kishim bërë plane duke llogaritur në të”, deklaroi Ten Hag.
“Ai është një nga më të mirët në historinë e futbollit. E kam respektuar shumë. Por në atë kohë, si trajner, duhej të merrja një vendim racional dhe të mbaja lojtarët që vlerësoja”, shtoi holandezi.
Ten Hag tregoi gjithashtu se Ronaldo nuk e kishte përfunduar vrapimin e plotë të kërkuar nga lojtarët pas humbjes 4:0 ndaj Brentfordit, në fillim të periudhës së tij si trajner i Unitedit.
“E vura përballë këtij fakti. Shpesh i thosha: ‘Ronnie, të gjithë duan të punojnë për ty, të të vendosin në pozitën e duhur, por nëse nuk arrin të futesh vetë në zonën e rreptësisë, nuk mund të shënosh’”, rrëfeu ai.
Përveç marrëdhënies me Ronaldon, Ten Hag foli edhe për pakënaqësitë e tij ndaj drejtuesve të Manchester Unitedit. Holandezi u shkarkua në tetor të vitit 2024, vetëm pesë muaj pasi kishte fituar Kupën FA dhe kishte nënshkruar vazhdimin e kontratës.
Sipas tij, drejtuesit e klubit nuk i përmbushën zotimet për besnikëri, mbështetje dhe komunikim. Një nga vendimet që e zhgënjeu më shumë ishte shitja e mesfushorit Scott McTominay te Napoli, pavarësisht kundërshtimit të trajnerit.
“Më premtuan besnikëri, më premtuan mbështetje, më premtuan komunikim që të jemi në të njëjtën linjë. Diskutuam për çështjet në fjalë. Por premtimet nuk i mbajtën. Unë thashë: ‘Scott McTominay nuk shitet’. E në fund e shitën. Natyrisht, isha shumë i zhgënjyer”, përfundoi Ten Hag.
D.L
