UBT News

Ten Hag i bindur se do të ketë më shumë gola nga Ronaldo

Trajneri i Manchester United, Erik Ten Hag është shprehur i kënaqur me paraqitjen e mbrëmshme të Cristiano Ronaldos kundër Sheriff Tiraspolit në Ligën e Evropës, ku superylli portugez shënoi golin e fundit të ndeshjes.

Ronaldo u rikthye mbrëmë në formacionin titullar të United, pas trazirave javën e kaluar me trajnerin Ten Hag, ku ky i fundit e përjashtoi nga skuadra për ndeshjen kundër Chelseat.

Ronaldo nuk ishte pjesë e ekipit të United për ndeshjen me Chelsean, pasi refuzoi që të inkuadrohej në ndeshjen kundër Tottenham, në të cilën u largua nga stadiumi ende pa përfunduar ndeshja.

Por Ronaldo u rikthye te United në ndeshjen kundër Sheriff Tiraspolit mbrëmë, ku edhe e gjeti golin e tij të tretë, gol ky i cili e ka gëzuar trajnerin, Ten Hag.

Ten Hag lavdëroi paraqitjen e Ronaldos dhe u shpreh i bindur se superylli portugez do të shënojë më shumë gola.

“Ta shohësh Ronaldon duke shënuar golin e tij ishte e mrekullueshme. Ai krijoi shumë raste, skuadra krijoi raste për të dhe ne jemi të vetëdijshëm që ai ka kapacitetet për t’i finalizuar ato me gol”, tha Ten Hag.

“Cristianos i nevojitej një gol dhe tani jam i bindur se o të ketë më shumë gola nga ai”, shtoi më tej Ten Hag.

Këtë sezon, Cristiano Ronaldo ka arritur të bëjë 13 paraqitje në të gjitha garat për Manchester United, duke regjistruar tre gola dhe një asistim mbi emrin e tij.

Exit mobile version