Në Grenlandë, në ditët e fundit janë regjistruar temperaturat prej 20 deri në 30 gradë mbi mesataren për këtë periudhë të vitit dhe kanë qenë pozitive në shumë pjesë të territorit të gjerë të Arktikut, njoftoi sot Instituti Meteorologjik Danez (DMI).
Në kryeqytetin Nuuk më 20 dhjetor, temperatura ishte 13 gradë Celsius dhe në këtë kohë të vitit temperatura mesatare është minus 5.3 gradë Celsius.
Për më tepër, në Qaanaaqu, në veri, merkuri është ngjitur në 8.3 gradë Celsius, ndërsa temperatura e zakonshme për këtë periudhë është minus 20.1 gradë Celsius.
“Një nga arsyet e temperaturave të ngritura është fenomeni meteorologjik ‘fen’, një erë e ngrohtë që fryn mjaft shpesh në Grenlandë”, shpjegon klimatologia e DMI, Caroline Drost Jensen.
Megjithatë, ky nuk është një precedent, sepse nuk janë thyer as rekordet absolute dhe as rekordet e tridhjetë vjetëve të fundit për muajin dhjetor. Në Arktik, ngrohja është tri herë më shpejt se kudo në botë.
“Ngrohja globale planetare nënkupton temperatura të ngritura siç shohim tani në Grenlandë, dhe ato janë përgjithësisht më të larta se në të kaluarën”, tha klimatologu Drost Jensen.
Gjatë verës, një valë e nxehtë me temperatura që ishin mbi dhjetë gradë më të larta se zakonisht për sezonin shkaktoi një episod të shkrirjes “masive” të akullit në Grenlandë.
Në atë kohë, çdo ditë regjistroheshin humbje prej tetë miliardë tonësh akull, që është dyfishi i ritmit mesatar për periudhën e verës.
Më 14 gusht ka rënë edhe shi në majën e pikës më të lartë në Grenlandë (3216 metra), e cila nuk kishte ndodhur kurrë më parë.