Ansu Fati nuk do të mund të riaftësohet në kohë për përballjen mes Barcelonës dhe PSG në Champions. Në fakt, rehabilitimi i “yllit” të Barçës nuk po shkon ashtu sikurse ishte parashikuar, çka ka sjellë shqetësim në kampin “blaugrana”.
Mjekët e klubit dhe vetë Ramon Cugat, kirurgu që e operoi, nuk duan të përcaktojnë afatet e kthimit, të vetëdijshëm se do të shërbente vetëm për të ushqyer ankthin dhe dëshpërimin tek lojtari. Në klub ata e kanë shumë të qartë se përparësia absolute është rikuperimi 100% i gjurit të majtë të Ansu Fati, një lojtar vetëm 18 vjeç dhe me një karrierë të gjatë përpara, kështu që koha dhe metodat që duhet ndjekur nuk kanë rëndësi.
Që në fillim, kur u krye ndërhyrja, u mendua se kthimi në fushë i talentit spanjoll me origjinë nga Guinea-Bissau do të ndodhte në ndeshjen me PSG-në, më 10 mars, pra pas katër muajsh.
Në kushte normale, tre muaj të operacionit (u dëmtua më 7 nëntor dhe iu nënshtrua një operacioni dy ditë më vonë), menisku do të duhej të konsolidohej plotësisht dhe lojtari do të fillonte stërvitjen në fushë.
Sidoqoftë, siç ka mësuar AS, realiteti është krejt i ndryshëm: gjuri i majtë vazhdon t’i shkaktojë dhimbje koke, pasi kur rritet ngarkesa e punës, gjuri pëson enjtje, për rrjedhojë, Ansu Fati është i detyruar të ulë intensitetin e ushtrimeve.
Kjo situatë nuk lejon përparimin ose djegien e fazave, ndaj stafi mjekësor që e ndjek është i detyruar të ngadalësojnë të gjithë procesin në kërkim të një zgjidhjeje që do të adresojë këtë problem të gjurit.
Situata është aq e dëshpëruar sa nuk është përjashtuar mundësia që lojtari të kalojë përsëri nëpër sallën e operacionit për të kontrolluar shkaqet e enjtjes.
Ndryshe nga Ansu Fati, situata me Gerard Piqué është shumë më optimiste dhe shpresëdhënëse. Së pari, sepse përshtypjet në ditët e fundit kanë qenë shumë pozitive dhe së dyti, në rastin e tij, nuk ka nevojë që gjuri të jetë 100% për të qenë në gjendje të luajë. Me terapinë konservatore që ai ka ndjekur për të ngjitur ligamentin e kryqëzuar në gjurin e tij të djathtë, do të konsiderohej pozitive që të arrinte 80%, aq më tepër që është 34 vjeç.