UBT News

Teksas: Hyn në fuqi ligjet më të ashpra që ndalojnë abortin

Ka hyrë në fuqi në shtetin e Teksasit një ndër ligjet më të ashpra kundër abortit. Ligji i ri e ndalon kryerjen e kësaj procedure pas javës së gjashtë të shtatzënisë.

Më saktësisht, me ligjin e ri ndalohet kryerja e abortit pasi të jetë vërejtur e rrahura e zemrës së fetusit, diçka që autoritetet shëndetësore e cilësojnë si çorientuese.

Ligji, që është një ndër më të rreptit për këtë çështje në Shtetet e Bashkuara, hyri në fuqi pasi Gjykata Supreme nuk iu përgjigj një ankese urgjente nga ata që ofrojnë kryerje të aborteve.

Mjekët dhe grupet për të drejtat e grave e kanë kritikuar ashpër ligjin e ri. Ai u jep të drejtë të gjithë qytetarëve që t’i padisin mjekët që kryejnë aborte pas javës së gjashtë të shtatzënisë, shkruan BBC.

Ligji i ashtuquajtur “Akti i Rrahjes së Zemrës” u nënshkrua në maj nga guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Përjashtim nga zbatimi i këtij ligji përbëjnë vetëm rastet e urgjencës mjekësore, të cilat duhet të jenë të vërtetuara me shkrim nga një mjek.

Gratë e Teksasit që duan të kryejnë abort pas javës së gjashtë të shtatzënisë do të jenë të detyruara që të udhëtojnë jashtë këtij shteti, mesatarisht 399 kilometra.

Exit mobile version