UBT News

Teksa protestohet për Arlinda Zekajn, brenda 24 orëve raportohen edhe 7 raste të dhunës në familje

Teksa sot po shënohet dita e tretë e protestave në Kosovë ku po kërkohet drejtësi për vrasjen e Arlinda Zekajt nga ish-kunati i saj Albert Sylaj, rastet e raportuara të dhunës në familje vazhdojnë të rriten. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, Policia e Kosovës ka evidencuar shtatë raste të reja të dhunës e kanosjes brenda familjes në rajone të ndryshme të vendit, si në Prishtinë, Ferizaj, Gjakovë, Fushë-Kosovë e Klinë.

Në rajonin e Ferizajt janë regjistruar dy raste të ndara, ku në njërin prej tyre është arrestuar një burrë për kanosje ndaj bashkëshortes së tij, ndërsa në rastin tjetër, pas hetimeve të zhvilluara lidhur me një incident të mëhershëm, është vënë në pranga i dyshuari i dytë, i cili po ashtu është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Raste të rënda janë raportuar edhe në  Prishtinë e Fushë-Kosovë. Në Fushë-Kosovë, një burrë ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij, duke i shkaktuar lëndime për të cilat viktimës i është ofruar ndihmë mjekësore, ndërsa dorasi është dërguar në mbajtje.

Po ashtu në Prishtinë, një burrë ka dëbuar nga shtëpia ish-bashkëshorten e tij bashkë me foshnjën e saj, me ç’rast viktima është strehuar urgjentisht në strehimore, kurse i dyshuari është arrestuar.

Po në Fushë-Kosovë, dy vajza të mitura janë sulmuar fizikisht nga dy vëllezërit e tyre, të cilët ndodhen ende në arrati ndërsa policia po vazhdon hetimet.

Në Klinë është arrestuar një person nën dyshimin për ushtrim të dhunës psikike ndaj partenaires me të cilën bashkëjetonte, ndërsa në Gjakovë një grua është keqtrajtuar nga i dashuri i saj, i cili pas testimit nga policia ka rezultuar se ishte nën efektin e alkoolit.

Të gjithë të arrestuarit në këto raste, me urdhër të prokurorëve përkatës, janë dërguar në mbajtje. /E.A/

 

Exit mobile version