UBT News

Teatri “Migjeni” rikthen hapësirën e orkestrës simfonike pas më shumë se 30 vitesh

Pas një mungese prej mbi tri dekadash, në teatrin “Migjeni” të Shkodrës është rikthyer hapësira e orkestrës simfonike, një element thelbësor që i jep skenës frymëmarrje, thellësi dhe një dimension të ri artistik.

Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, u shpreh se rikthimi i kësaj hapësire ndodh në një moment simbolik: “Kjo ndodh në jubileun e 10-vjetorit të festivalit ‘Luleborë’, duke i dhënë këtij edicioni një madhështi të veçantë dhe duke rikthyer në teatrin ‘Migjeni’ emocionin e vërtetë të artit dhe muzikës së qytetit.”

Ndërsa Zef Çoba, drejtues artistik i festivalit, theksoi se ky ndryshim sjell një përjetim krejt tjetër për publikun:

“Kjo hapësirë i jep skenës një dimension të ri dhe krijon një lidhje më të fortë mes muzikës dhe interpretimit. Përjetimi bëhet më i plotë dhe më profesional.”

Edicioni i sivjetëm i festivalit “Luleborë” do të sjellë në skenë 16 këngë konkurruese,që ruajnë identitetin e këngës shkodrane, por njëkohësisht përshtaten me ritmet dhe shijet e tregut muzikor bashkëkohor — një sfidë që, sipas Çobës, mbetet e veçantë për artistët dhe krijuesit pjesëmarrës. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version