Trajneri i Werder Bremenit, Florian Kohfeldt, ka pranuar se është i gëzuar që sulmuesi i Kosovës, Milot Rashica, do të jetë pjesë e ekipit të tij deri në fund të këtij sezoni.
Kohfeldt ka insistuar se pret shumë prej Rashicës në pjesën e dytë të sezonit 2020/21, pasi sulmuesi është kthyer në fushë pas kurimit të lëndimit që e mbajti jashtë fushës për një kohë të gjatë.
Rashica ishte pranë largimit nga Werderi si para fillimit të këtij edicioni ashtu edhe gjatë afatit kalimtar të dimrit, por marrëveshjet dështuan në momentet e fundit.
Tani, trajneri Kohfeldt pret shumë nga futbollisti kosovar.
“Jam më se i bindur se Miloti do të luajë shkëlqyeshëm në pjesën e dytë të këtij sezoni”, ka insistuar Kohfeldt. “Mund të them se jam shumë i lumtur që Miloti do të jetë me ne dhe pres shumë prej tij sepse ka filluar të kthehet në formën më të mirë”, ka thënë trajneri i klubit gjerman.
Rashica 24-vjeçar, këtë edicion ka dhjetë paraqitje në të gjitha garat për Werderin ku ka regjistruar dy asistime. Ai ka kontratë me ekipin gjerman deri në verën e vitit të ardhshëm.