UBT News

Të shtëna nga vetura në lëvizje dhe armë pa leje: Tre të arrestuar në Prishtinë, Podujevë e Drenas

Policia e Kosovës ka iniciuar tri raste të ndara për “Përdorim të armës” dhe “Mbajtje në pronësi të paautorizuar të armëve” gjatë 24 orëve të fundit në rajonin e Prishtinës, Podujevës dhe Drenasit.

Në Drenas, policia ka arrestuar një person pasi i njëjti dyshohet se ka shtënë me armë zjarri nga vetura e tij në lëvizje në orët e para të mëngjesit të së dielës. Në vendin e ngjarjes janë gjetur 8 gëzhoja, ndërsa nga i dyshuari është konfiskuar një revole me gaz dhe 88 fishekë. Me vendim të prokurorit, i arrestuari është dërguar në qendrën e mbajtjes.

Në Podujevë, pas marrjes së informatës për të shtëna me armë zjarri, njësitë policore kanë identifikuar të dyshuarin, nga i cili kanë konfiskuar një pistoletë me gaz dhe 11 fishekë. Pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Ndërkaq në Prishtinë, gjatë një kontrolli rutinor, njësiti policor ka ndaluar një person i cili ka deklaruar se kishte me vete një armë zjarri. Policia ka konfiskuar pistoletën me 10 fishekë, pasi leja e armës kishte skaduar dhe e njëjta ishte e destinuar vetëm për shenjëtari. Edhe ky rast, me vendim të prokurorit, po vazhdon të trajtohet në procedurë të rregullt. /E.A/

Exit mobile version