Një person ka mbetur i plagosur rëndë si pasojë e të shtënave me armë zjarri në qytetin e Suharekës. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencën e Suharekës.
Lajmin për Ekonomia Online e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
Ai ka bërë të ditur se rasti është raportuar më 18 nëntor 2026, rreth orës 12:20, kur një person i panjohur ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një personi të gjinisë mashkullore.
“Më datën 18.11.2026, rreth orës 12:20, është raportuar se në qytetin e Suharekës, një person i panjohur ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një personi të gjinisë mashkullore. Si pasojë e të shtënave, viktima ka pësuar lëndime trupore dhe, në gjendje të rëndë shëndetësore, është transportuar për trajtim mjekësor në Emergjencë”, ka deklaruar Bytyqi.
Sipas tij, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa Policia është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për identifikimin dhe arrestimin e tij.
“Njëkohësisht, është bërë sigurimi i vendit të ngjarjes dhe po ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore për mbledhjen e provave dhe dëshmive që mund të ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të këtij rasti”, ka thënë Bytyqi për Ekonomia Online. /Ekonomia Online/
