Një person është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, pas një incidenti me armë zjarri që ka ndodhur në Pejë.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, i dyshuari fillimisht kishte pasur mosmarrëveshje me dy persona dhe më pas kishte shtënë me armë zjarri, duke u larguar nga vendi i ngjarjes me veturën e tij.
Policia njofton se në vendngjarje është gjetur një veturë e goditur disa herë nga plumbat, ndërsa gëzhojat nuk janë gjetur, pasi dyshohet se janë larguar nga vetë i dyshuari.
Më vonë, i dyshuari është paraqitur vetë në stacionin policor dhe ka pranuar se kishte shtënë me armë. Pas kësaj, njësitet hetimore kanë kryer kontroll në shtëpinë e tij, ku kanë sekuestruar një armë të shkurtër, 14 fishekë dhe një gëzhojë.
Sipas Policisë, arma ishte në pronësi të prindit të të dyshuarit dhe posedonte leje të vlefshme.
Me vendim të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë, ndërsa rasti po hetohet nga njësitet përkatëse.
