Dy persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës në Pejë, pasi dyshohen se janë përfshirë në një përleshje fizike dhe kanë shtënë me armë zjarri, me ç’rast ka pësuar lëndime trupore një kalimtar i rastit.
Ngjarja ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në fshatin Kosuriq të Pejës.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë nga rajoni i Pejës, pas marrjes së informacionit për të shtëna me armë, njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendngjarje ku kanë takuar victimën. Ai ka deklaruar se pas një përleshjeje fizike me një person, ky i fundit së bashku me një të dyshuar tjetër kanë shtënë me armë zjarri.
Si pasojë e të shtënave, një kalimtar i rastit ka pësuar gërvishtje dhe është dërguar menjëherë në Spitalin Rajonal në Pejë për të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, policia ka gjetur një gëzhojë. Më pas, me urdhër të prokurorit të shtetit, është ushtruar kontroll dhe bastisje në shtëpinë e të dyshuarve, ku janë gjetur dhe sekuestruar: Një (1) armë zjarri; Një (1) gëzhojë; Një (1) karikator.
Pas arrestimit dhe intervistimit nga hetuesit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa i dyshuari tjetër është liruar në procedurë të rregullt.
Të dyshuarit ngarkohen me veprat penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, “Kanosje”, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës” si dhe “Sulm”. /E.A/
